Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda është dhënë fjala përfundimtare për të akuzuarit Dardan Blakaj, Shaban Ramaj, Shefqet Zogaj dhe Ardonis Zogaj. Të akuzuarit, të gjithë së bashku, janë të ngarkuar me akuzën se kanë kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshme, dhe substancave psikotrope nga neni 229 par. 1,2 dhe 4 lidhur me par. 1 dhe 2 lidhur me nenin 26 dhe nenin 23 të KPK-së. Shaban Ramaj dhe Dardan Blakaj, për veprën penale kontrabandim me migrantë nga neni 138 par. 1.1 të KPK-së dhe veprën penale falsifikimi i dokumentit nga neni 332 par. 1 dhe 3 të KPK-së, dhe Shaban Ramaj, Dardan Blakaj dhe Arbonis Zogaj, për veprën penale mbajtja në pronësi, në kontroll, në posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve nga neni 328 par. 2 të KPK-së.
Trupi gjykues ka qenë në përbërje të kryetarit të trupit gjykues Vesel Ismaili, dhe antaret e trupit gjykues Valbona Murseli dhe Naime Jashanica.
Në fjalën përfundimtare prezantuan prokurorja e shtetit Bukurie Gjonbalaj, e cila theksoi se në tërësi qëndron pranë aktakuzës dhe se nuk ka asgjë kontestuese që këta të akuzuar kanë kryer veprat penale të cilat iu vihen në barrë. Për këtë sipas prokurores së rastit, tregojnë dëshmitë e dëshmitarëve poashtu edhe transkriptat telefonike në të cilat këta të akuzuar kërkojnë të furnizohen me substanca narkotike të llojit kokainë, dhe kërkojnë para nga blerësit dhe të tjerët, për këto substanca kërkohen shuma të medha parash, përvec kësaj kanë tentuar të bëjnë pasaporta certifikata e dokumente të tjera për të cilat kanë marrë shuma të mëdha parash. Me këto pasaporta kanë pasur synimin që të ua mundësojnë qytetarëve të kalojnë kufirin ilegalisht por nuk i’a kanë arritur qëllimit, por morrën vetëm parat.
Mbrojtësi i të akuzuarit Dardan Blakaj, avokati Ali Latifi në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se aktakuza e prokurorisë është në tërësi e pabazuar dhe se prokuroria nuk ka asnjë fakt apo provë të vetme se i mbrojturi i tij ka kryer veprat penale të cilat i vihen në barrë. Ai paraprakisht ka uruar festën e bajramit me shpresën se shumë shpejt do të kemi drejtësi të mirëfilltë dhe jo drejtësi të tillë që përkrahin vetëm politikat shkatërruese për shtetin dhe të rinjët. Në fund shtoi se i mbrojturi i tij nuk ka të bëjë me ato vepra dhe se duhet të shpallet i pafajshëm.
I akuzuari Dadan Blakaj në tërësi e përkrahi fjalën përfundimtare të avokatit të tij.
Mbrojtësi i të akuzuarit Shaban Ramaj, avokati Zeqir Bërdynaj, në fjalën e tij përfundimtare ka theksuar se i mbrojturi i tij është tërësisht i pafajshëm dhe se duhet të lirohet nga akuza. Ai potencoi se transkriptat telefonike në të cilat thirret prokuroria janë thashetheme dhe se nuk kanë të bëjënë me vepër penale.
I akuzuari Shaban Ramaj, qëndroi në tërësi pranë dekalaratës së mbrojtësit të tij dhe i propozoi gjykatës që ta shpallë të pafajshëm.
Mbrojtja e të akuzuarit Shefqet Zogaj, avokatja Aurora Mulhaxha, kërkoi që kjo aktakuzë të hudhet poshtë dhe i mbrojturi i saj të shpallet i pafajshëm sepse prokuroria nuk ka asnjë provë të vetme për të dëshmuar të kundërtën. Ajo tha se në asnjë telefonat, i mbrojturi i saj nuk ka permendur fjalën narkotikë.
I akuzuari Shefqet Zogaj përkrah në tërësi fjalën përfundimtare të mbrojtjes dhe shton se substancat për të cilat ai ka folur kanë qenë aminoacide të cilat i ka përdorur bashkë me Shabanin sepse atë kohë kanë qenë në fitnes bashkë. Poashtu edhe gjatë bastisjes në shtëpinë e tij thotë se janë gjetur aminoacide dhe proteina e jo substanca narkotike.
Mbrojtësi i të akuzuarit Ardison Zogaj, avokati Gëzim Baloku , theksoi se obligim i prokurorisë është të vërtetoj atë që ka shkuar në atë aktakuzë gjë që nuk e ka bërë. Tha se kanë dëgjuar dëshmitë e dëshmitarëve dhe asnjë prej tyre nuk e ka përmendur Ardonisin, as që e kanë parë ndonjëherë. As në raportet policore të cilat janë bërë provë gjatë shqyrtimit kryesorë, që nuk kanë qenë pjesë e aktakuzës nuk përmendet Ardison Zogaj. Masat e fshehta janë rrugë që të dërgojnë te provat por nuk mund të përdoren si provë në asnjë mënyrë, të tilla si transkriptat telefonike. Gjatë bastisjes në dy shtëpi dhe në makinë i janë gjetur vetëm plumba në shtëpinë e babit të tij për të cilët është amnistuar me ligjin për amnisti, ka shtuar avokati. Në fund ai ka kërkuar që kjo aktakuzë të bie poshtë sepse nuk është e bazuar në prova dhe Ardisonit të i kthehen gjësendet e sekuestruara gjatë bastisjes.
I akuzuari Ardison përkrah në tërësi fjalën përfundimtare mbrojtësit të tij dhe kërkoi nga gjykata të shpallet i pafajshëm.
Kryetari i trupit gjykues pas dëgjimit të fjalëve përfundimtare mbylli seancën dhe caktoi seancën për shpalljen e aktgjykimit.
Shpallja e aktgjykimit bëhet me 11.06.2019, në orën 13:00.
Monitorues: Ermirë JANUZI dhe Liridon SALIHI.
Lajmet në fokus