Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, u mbajt seanca e shqyrtimit kryesor në konfliktin administrativ të filluar me padi të Sulltan Sylejmani – doktor në Spitalin e Përgjithshëm (njëherësh shef i repartit të sallave operative) në Gjilan, ndaj të paditurës Ministria e Shëndetësisë – Inspektoratit Shëndetësor.
Padia për konflikt administrativ zhvillohet ndaj të paditurës Ministria e Shëndetësisë -Inspektorati Shëndetësor për anulimin e aktit administrativ, Vendimit të datës 08.12.2015, dhe Vendimit të datës 30.12.2015, raporton Drejtësia sot.
Me vendimin e datës 08.12.2015, Inspektorati Shëndetësor i Ministrisë së Drejtësisë, doktor Sulltan Sylejmanit i ka shqiptuar gjobën në shumë prej 500 Euro (pesëqind) për shkeljen e dispozitave të Ligjit për Kontrollin e Duhanit.
Në bazë të përgjigjjes në padi, Inspektorati Shëndetësor me datë 01.12.2015, ka bërë inspektimin tematik në repartin e Gjinekologjisë me Obsterikë- Spitali i Përgjithshëm në Gjilan, ku pas inspektimit është konstatuar se janë gjetur gjurmë që është konsumuar duhani.
Përfaqësuesi i palës paditëse ka deklaruar se paditësi sa i përket repartit të vetë i ka ndërrmarrë të gjitha masat parandaluese për pirjen e duhanit dhe se inspektorët shëndetësorë me rastin e përcaktimit të personit përgjegjës nuk kanë respektuar hierarkinë e spitalit, pasi që kanë konsideruar përgjegjës drejtpërdrejtë paditësin, edhe pse ky përgjegjës për punët teknike brenda repartit të vet e ka teknikun kryesor, ndërsa përgjegjësit e tjerë më të lartë janë drejtori klinik dhe drejtori ekzekutiv dhe me të cilët inspektorët është dashur fillimisht të kontaktojnë.
Lidhur me vendimin e gjykatës palët do të njoftohen me aktvendim në fillim të muajit korrik.
Monitoruese: Zanë BUÇINCA
Lajmet në fokus