Mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor në konfliktin administrativ ndaj të paditurit Këshilli Gjyqësor i Kosovës në bazë të padisë së gjyqtarit Ibrahim Shala

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga

13:10 / 27 Qershor 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë –Departamenti për Çështje Administrative u mbajt seanca e shqyrtimit kryesorë në konfliktin administrativ të filluar me padi të Ibrahim Shala-Gjyqtar në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Klinë ndaj të paditurit Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Padia për konflikt administrativ zhvillohet ndaj të paditurit Këshilli Gjyqësor i Kosovës për anulimin e aktit administrativ-Vendimi i datës 25.05.2016. Me këtë vendim refuzohet kërkesa e gjyqtarit Ibrahim Shala për transfer të përhershëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Gllogoc.

Drejtësia Sot raporton se sipas këtij Vendimi, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka shqyrtuar kërkesën e të paditurit për transferim mirëpo duke pasur parasysh gjendjen e rëndë ku dy gjyqtarë vitin e kaluar kanë kaluar në pozita të reja, ka vendosur që kërkesa të shtyhet derisa të bëhet plotësimi i vendeve të lira për gjyqtar në këtë gjykatë.

Sipas deklarimit të palës paditëse në seancën e sotme, atij i është shkaktuar dëm material dhe moral me nxjerrjen e një vendimi të tillë, njëherësh kërkon kompenzimin e dëmit në shumë totale prej 150.582,00 €.
Ai ka thënë se për transferimin e tij ka pasur pëlqimin e kryetarës së Gjykatës Themelore në Pejë Znj. Elmaze Syka, kryetarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë Zt. Hamdi Ibrahimi, mbikqyrësit të degës në Klinë Zt. Jashar Gashi dhe të mbikqyrësit të degës në Gllogoc Zt. Avdi Haxha.

Ai ka theksuar poashtu se pozitat e lira janë plotësuar që nga viti 2015, me dy gjyqtar (Sabrie Raci, dhe Florie Zatriqi dhe më pas në vend të saj ka ardhur Prenk Palushi).
Përfaqësuesi i autorizuar i palës së paditur, në seancën e sotme ka deklaruar se i kundërshton pretendimet e paditësit sa i përket dëmit material dhe jo material si të pabazuara për arsye se paditësi prej fillimit është emëruar në gjykatën e lartëcekur , dhe asnjë gjyqtar nuk kompenzohet në emër të udhëtimit dhe shujtës.

Në fund, pala paditëse ka thënë se nxjerrja e vendimeve të tilla pa bazë ligjore, të paligjshme dhe të pabazuara në fakte paraqet precedent të rrezikshëm për sistemin e drejtësisë.
Vendimi i gjykatës lidhur me këtë çështje pritet të merret në fund të muajit Korrik.

Monitoruese: Zanë Buçinca