Kompania nga Peja pretendon se i është marrë kundërligjshëm licenca nga Agjencioni Pyjor i Kosovës

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Liridon Salihi

11:47 / 26 Qershor 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Departamentin për Çështje Ekonomike është mbajtur seanca përgatitore në kontestin ndërmjet kompanisë “ISP” sh.p.k dhe Agjencionit Pyjor të Kosovës.

Kjo kompani si fushëveprimtari të saj, ka pyllëzimin e sipërfaqeve tokësore pas shfrytëzimit nga ana e gurëthyesve.

Nga informacionet që posedon Drejtësia Sot, licenca në fjalë ishte dhënë për pyllëzimin e parcelës kadastrale në fshatin Gërqinë, Komuna e Gjakovës.

Më vonë Agjencioni Pyjor i Kosovës, ia kishte marrë licencën kësaj kompanie, me pretendimin se e njejta kishte lidhur kontrata për kryerjen e punimeve me disa operatorë privat.

Për këtë çështje, më datë 22.02.2018, kompania kishte ngritur padi, sipas së cilës, në mënyrë të kundërligjshme, iu ndalua pyllëzimi i hapësirës së lartëcekur.

Pas gjithë kësaj e paditura pretendon që këto kontrata bien në kundërshtim me përmbajtjen e licencës dhe se veprimet e paditësit nuk janë të drejta.

Paditësi propozoi që nga ana e gjykatës të caktohet një ekspertizë financiare, me çka do të dihej shuma e dëmit të shkaktuar dhe fitimit të humbur.

Gjyqtari Asllan Krasniqi, e aprovoi propozimin e paditësit dhe theksoi se seanca e radhës do të caktohet pas pranimit të kësaj parashtrese.

Monitorues: Liridon SALIHI