Ish-kryeinspektori i Kamenicës, lirohet nga akuza për keqpërdorim të detyres zyrtare

Gjykata Themelore , Gjilan

Monitoruar nga Vullnet Bugaqku

14:08 / 07 Qershor 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Refik Latifaj, Ish-kryeinspektor në Komunën e Kamenicës, u shpall i pafajshëm nga Gjykata Themelore e Gjilanit. Latifaj i cili për 5 vite ishte i akuzuar për veprën penale: “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, u lirua nga akuza në mungesë të provave, raporton: Drejtësia Sot.

“Gjykata vendosi që të akuzuarin në fjalë ta shpallë të pafajshëm, për arsye se, nga shtjellimi i provave nuk është arritur të vërtetohet dyshimi përtej i bazuar mirë se i akuzuari Refik Latifaj e ka kryer këtë vepër penale”, thuhet në vendimin e lexuar nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Aziz Shaqiri.

Kundër këtij aktgjykimi, palët e paknaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, në afat prej 15 dite, pas pranimit të këtij vendimi.

Në aktakuzën e Prokurorisë në Gjilan, që mbrohej nga prokurori i shtetit Isuf Sadiku thuhej se:
“Refik Latifaj gjatë periudhës kohore 2013/14 në cilësinë e Shefit të Inspektoratit Komunal të Kamenicës, në vazhdimësi ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke ndihmuar në forma të ndryshme mbi 6 kompani për eksploatimin ilegal të rërës dhe zhavorrit dhe se si të pajiseshin me dokumente fiktive doganore, si mbulesë e veprimtarisë së tyre”.
Ndryshe ky rast ishte vendosur më parë nga Gjykata Themelore e Gjilanit, por që ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Në gjykimin e parë më datë 08.03.2017, Latifaj ishte dënuar me 6 muaj burgim efektiv. Ky dënim u vërtetua nga Gjykata e Apelit më datë 24.10.2017. Mirëpo, rasti u kthye në rigjykim kur Gjykata Supreme e Kosovës e kishte aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruar nga ana e mbrojtjes.

Në vendimin e saj, Gjykata Supreme e Kosovës kishte vlerësuar se në dispozitivin e aktgjykimit të shkallës së pare, nuk kishte patur përshkrim preciz dhe konkret të veprimeve të cilat i ka ndërmarrë “i dënuari”, e që do të ndërlidheshin me përgjegjësinë dhe detyrat e tij si person zyrtar, raporton Drejtësia Sot.

Në fund, Drejtësia Sot njofton se hetimi për këtë rast kishte filluar në korrik të vitit 2014, kurse aktakuza ishte ngritur më 12 dhjetor 2014.

Monitorues, Vullnet Bugaqku