Ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor në çështjen për kompenzim të dëmit të inicuar me padi nga DPZ “SHEHU” me seli në Ferizaj, kundër të paditurës KEDS Prishtinë, Distrikti në Ferizaj. Kjo seancë u mbajt në Gjykatën Themelore në Prishtinë, – Departamenti për Çështje Ekonomike, e udhëhequr nga gjyqtari i vetëm Murat Paqarada, në prani të përfaqësuesit të autorizuar të palës paditëse, dhe përfaqësuesit me autorizimi të palës së paditur.
Ishte përcaktuar që sot të bëhet paraqitja e ekspertizave të propozuara. Ishin ftuar ekspertët Xhevdet Spahiu dhe Nexhmedin Asllani, për të dhënë sqarime shtesë rreth ekspertizës së elektroteknikës përkatësisht makinerisë.
Në ekspertizën e elektroteknikës, shprehimisht theksohet se deri te shkaktimi i zjarrit ka ardhur si pasojë e shkëputjes së përçuesëve të rrymës, ndërsa ekspertiza e makinerisë i përmend të gjitha auto-pjesët dhe elementet të tjera të cilat janë shkatërruar apo kanë humbur vlerën si pasojë e zjarrit.
Gjykata vendosi që me propozimin e palës së paditur të bëhën edhe dy ekspertiza nga lëmitë e njejta, sepse sipas tyre këto ekspertiza të paraqitura sot nuk e tregojnë gjendjen faktike në terren.
Me datën 16.08.2018, rreth orës 11:30, si pasojë e shkëputjës së përçuesëve elektrik është djegur në tërësi depoja me auto-pjesë dhe elemente tjera makinerike e DPZ “SHEHU” me seli në Gerlicë të Ferizajit, e cila pretendon që për këtë mban përgjegjësi KEDS-i. Me datën 23.08.2018, Gjykata kishte aprovuar parashtresën për Propozimin e Sigurimit të Provës dhe me aktvendim kishte caktuar ekspertin e elektroteknikës dhe makinerisë.
Pala paditëse, përmes padisë kërkon nga ana e KEDS që të bëj kompenzimin e dëmit, ashtu siç tregohet në kërkesëpadi, në vlerë prej 147.966.00 Euro.
Seanca e radhës është caktuar të mbahet brenda muajit shtator varësisht nga koordinimi mes palëve ndërgjyqëse dhe gjyqtarit të çështjes
Monitorues Liridon SALIHI
Lajmet në fokus