Gjykata Themelore në Pejë, ka shpallur fajtor Sadri Fetahaj, për vrasjen në tentativë ndaj të vëllait Haxhi Fetahaj. Ai është dënuar me 1 (një) vit burgim, duke i’u llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak. Kurse në emër të shpenzimeve procedurale dënohet me 100 (njëqind) euro gjobë dhe 50 (pesëdhjetë) euro gjobë në emër të kompenzimit të viktimave.
Ndërsa, i akuzuari tjetër Afrim Fetahaj, u lirua nga aktakuza për veprën penale të tentim vrasjes, duke e bazuar në atë se i njëjti kishte vepruar sipas mbrojtjes së nevojshme. Përderisa, ai pas pranimit të fajsisë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje është dënuar me 5 muaj burgim, duke i’u llogaritur koha e kaluar në paraburgim. I njëjti dënohet me gjobë prej 30 (tridhjetë) euro në emër të shpenzimeve procedurale dhe me 50 (pesëdhjetë) euro gjobë, në emër të kompenzimit të viktimave.
Aktakuza sqaron veprimet e palëve, të cilët më datën 5 qeshor të vitit 2017, kishin pasur një zënke, në fshatin Vrellë, të komunës së Istogut. Të akuzuarit kanë tentuar që ta privojnë nga jeta të dëmtuarin Haxhi Fetahaj, lidhur me një mosmarrëveshje për një vijë të ujit, ku të dy në bashkëkryerje, të dëmtuarin e godasin me lopata.
Kujtojmë se Gjykata e Apelit, e kishte kthyer në rigjykim, duke e anuluar aktgjykimin e kësaj gjykate të datës 10.04.2018, nën arsyetimin se gjykata e shkallës së parë, të akuzuarve i’u ka shqiptuar dënimin nën minimumin e veçantë të përcaktuar me ligj.
Monitoruese: Blerta KELMENDI
Lajmet në fokus