Senad Ramaj nga Gjilani-kryeshef ekzekutiv i ndërrmarjes publike “ Eco Higjiena” në Gjilan dhe Besim Osmani nga Kamenica përfaqësues ligjor i kësaj ndërrmarje, dolën sot para gjykatës themelore në Gjilan, për tu përballur me akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.
Në seancën e sotme gjyqësore, të udhëhequr nga trupi gjykues Naser Maliqi kryetar, Behar Ymeri dhe Rilind Sermaxhaj anëtar, u morrë në pyetje një dëshmitar, u lexuan shkresat e lëndës dhe u përfundua marrja në pyetje e të akuzuarëve.
Dëshmitari Bajram Isufi nga Gjilani- ish drejtor i kompanisë “Eco Higjiena” ishte ftuar sot në këtë gjykim për të treguar vetëm një çështje lidhur me akuzën që ngarkohet i pandehuri Besim Osmani.
Ky dëshmitar tregoi se në kohën kur kishte qenë drejtor ekzekutiv i ndërrmarjes “ Eco Higjiena”, kishte dhënë autorizime të plota përfaqësuesit Besim Osmani, që ta përfaqësoi ndërrmarjen “Eco Higjiena” në konteste gjyqësore, dhe se autorizimi në fjalë ishte dhënë konform statutit të kompanisë i miratuar nga bordi drejtues i ndërrmarjes.
Pas përfundimit të dëshmisë së tij, procesi gjyqësor vazhdoi me leximin e shkresave të lëndës, ku u konstatuan si të lexuara dhe të administruara mbi 30 prova-dëshmi materiale që ishin në shkresa të lëndës, prova këto që u kundërshtuan pothuajse në tërësi nga mbrojtja e të akuzuarëve.
Më tutje gjykimi vazhdoi me marrjën në pyetjen të të akuzuarëve Senad Ramaj e Besim Osmani. Këta dy persona, deklaruan para trupit gjykues se ndihen plotësisht të pafajshëm dhe se nuk e pranojnë fajësinë për akuzën e paraqitur dhe mbrojtur nga prokurori Agron Uka.
I akuzuari Senad Ramaj, gjatë mbrojtjes së tij, tregoi se gjitha veprimet që kishte ndërrmarë si kryeshef i ndërrmarjes Eco Higjiena, ishin tërësisht të bazuara sipas statutit dhe urdhërave të bordit të kompanisë. Kurse i akuzuari Besim Osmani, gjatë mbrojtjes së tij shpjegoi se të gjitha procedurat e ndërmarra nga ai si përfaqësues i kompanisë në fjalë, i kishte të buruar nga autorizimet e dhëna si nga ish drejtori Bajram Isufi ashtu dhe tani nga Senad Ramaj.
Për më tepër, Besim Osmani i kërkonte vazhdimisht prokurorit Agron Uka, që t’ja dokumentoj se cili është ai autorizim i falsifikuar, me të cilën akuzohet.
Sipas aktakuzës së prokurorisë në Gjilan, Senad Ramaj akuzohet se si drejtor i Eco Higjienës në kundërshtim me ligjin, më 10.07.2015, ka keqpërdorur autoritetin e tij zyrtar duke nxjerrë aneks statutin nr.513. Sipas pretendimit të prokurorisë, i njëjti e ka ndryshuar dhe nënshkruar këtë aneks statut pa pëlqimin e bordit. Sipas aktakuzës, Ramaj ka marrë edhe vendime në mënyrë të kundërligjshme për pagesa për avokatë të pa licencuar, me pagë prej 300 euro në muaj, brenda periudhës një vjeçare. Kurse Besim Osmani, akuzohet se në mënyrë të kundërligjshme ka falsifikuar autorizime për të përfaqësuar kompaninë Eco Higjiena në konteste gjyqësore.
Hetimi për këtë rast kishte filluar më datë 25.11.2016 kurse aktakuza është ngritë më datën 29.11.2016.
Seanca e radhës vazhdon më datë 25.06.2019, ku do të paraqitet fjala përfundimtare.
Monitorues, Vullnet Bugaqku
Lajmet në fokus