Caktohet masa e paraburgimit për të dyshuarit për vjedhje të rëndë në “Western Union”

Gjykata Themelore , Gjilan

Monitoruar nga Ronita Halimi

16:17 / 28 Qershor 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar masën e paraburgimit për të dyshuarit L.SH dhe D.K për veprën penale vjedhje e rëndë.

Ata dyshohen se me datën 27 qershor 2019, në bankën “Western Union” në Gjilan, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm pasurorë në bashkëveprim kanë kryer vjedhje të rëndë.

Deri te ky vendim, gjyqtari i procedurës paraprake Behar Ymeri, ka ardhur në bazë të kërkesës së prokurorisë e cila është shqyrtuar sot në Gjykatën Themelore në Gjilan, raporton Drejtësia Sot.

Prokurorja Huma Jetishi tha se këtë kërkesë e paraqet pasi që ka ardhur në përfundim se janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, ndër të tjera ajo tha se duke marrë parasysh peshën e veprës penale si dhe faktin se të dyshuarit janë recidivistë, nëse lihen në liri ekziston rreziku se të njejtit do ta përsërisin veprën penale ose do t’a pengojnë rrjedhjen normale të procedurës.
Ndërkaq, mbrojtësit e të dyshuarve, të caktuar sipas detyrës zyrtare, avokat Masar Morina dhe avokat Mustafë Musa e kundërshtuan në tërësi kërkesën e prokurores.

Sipas kërkesës së prokurorisë, të datës 27 qershor 2019, të dyshuarit L.SH dhe D.K, më 27 qershor 2019, rreth orës 00:30, në Gjilan, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasurorë kanë thyer xhamin e lokalit të bankës “Western Union” , kanë depërtuar brenda dhe kanë vjedhur para të metalit, ku më pas janë kapur nga njësiti patrullues. Sipas prokurorisë të dëmtuarës i kanë shkaktuar dëm material në vlerë rreth 200 (dyqind) Euro.

Monitoruese: Ronita HALIMI